Një ditë pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së që e quajti të paligjshëm vendimin e sekretarit të përgjithshëm Gazment Bardhi për të thirrur të enjten në orën 19:00 Këshillin Kombëtar, Komisioni i Apelimit, Integritetit dhe Etikës ka njoftuar se sonte do të shqyrtohen veprimet e kryetarit të grupit demokrat.
Drejtuesja e këtij komisioni, Flutura Açka i kërkon Bardhit që sonte të jetë i pranishëm në orën 19:00 kur të zhvillohet mbledhja për të sqaruar pozicionin e tij dhe ku është bazuar për të thirrur mbledhjen. Dje, Bardhi tha se në mungesë të kryetarit statuti i jep të drejtë për thirrjen e Këshillit Kombëtar.
Por, Kryesia, që në datë 18 Korrik i hoqi të drejtën për të mbajtur vulën e ka rrëzuar këtë pretendim. Krisja e re brenda PD-së, Bardhi-Basha vjen pak ditë përpara mbajtjes së zgjedhjeve për kryetarin e ri. Lulzim Basha të shtunën pritet që të rikthehet zyrtarisht në krye të PD-së, por Bardhi e kundërshton procesin.