Miliona amerikanë po përballen me nxehtësi të madhe në të gjithë pjesën jug-perëndimore të SHBA-së, ndërsa presidenti Joe Biden planifikon të shpallë hapa të rinj për t’i mbrojtur punëtorët, për t’i përmirësuar shërbimet e parashikimit të motit dhe për ta bërë ujin e pijshëm më të qasshëm, tha Shtëpia e Bardhë më 27 korrik.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre e përshkroi valën e të nxehtit si “një kohë të vështirë” dhe tha se Biden po e trajtonte ndryshimin e klimës me “urgjencën e nevojshme”.
Presidenti demokrat ka nxitur Departamentin amerikan të Punës t’i shtojë inspektimet e vendeve të punës potencialisht të rrezikshme, si fermat dhe kantieret e ndërtimit.
Ai gjithashtu kërkoi inspektime më të shpeshta në vendet e punës për të verifikuar nëse po respektoheshin masat e sigurisë së nxehtësisë.
Si pjesë e nismës, departamenti amerikan do t’i njoftojë punëdhënësit dhe punonjësit për mënyrat se si të qëndrojnë të mbrojtur nga nxehtësia ekstreme, që ka vrarë 436 punëtorë që nga viti 2011, sipas statistikave federale.
Administrata e Bidenit planifikon të shpenzojë shtatë milionë dollarë për të zhvilluar parashikime më të detajuara të motit në mënyrë që të parashikohet moti ektrem, si dhe 152 milionë dollarë për ta përmirësuar infrastrukturën e ujit të pijshëm në Kaliforni, Kolorado dhe Uashington. /REL
Artikulli i plotë këtu.