Një raport i Institutit për Studime të Luftës Hibride, Octopus, me seli në Prishtinë, vlerëson se Rusia po shfrytëzon grupet e djathta ekstreme në Serbi për të shtuar ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit.
Taulant Elshani, hulumtues i lartë në këtë institut tha se Serbia u ofron grupeve të tilla mbështetje financiare, infrastrukturore e mediatike për të shpërndarë përmbajtje propagandistike.
Veprimtaritë kryesore të këtyre grupeve sipas hulumtimit janë përhapja e gënjeshtrave, konfuzionit në rrjete sociale, përshkrimet e rrejshme për zona të ndryshme me peshë historike e religjioze, diskreditimi i udhëheqësve politikë, nxitja e urrejtjes por edhe e dhunës.
Çedomir Stojkoviç avokat dhe politikan serb, tha se Beogradi zyrtar përdor këto grupe për të nxitur urrejtje e përçarje ndërmjet popujve në Ballkan, në mënyrë që të parandalojë integrimin e tyre në strukturat euro atlantike.
Studimi i Institutit Oktopus thotë se pavarësisht që përfaqësuesit e së djathtës ekstreme mbajnë shpesh profil të ultë publik, rreziku prej tyre nuk është i tillë meqë mund të jenë shumë të dëmshëm për interesat kombëtare të shteteve të Ballkanit.
Për të ulur këto rreziqe studimi rekomandon që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përforcojnë institucionet demokratike, sundimin e ligjit dhe pavarësinë e mediave. VOA