Bashkimi Europian ka reaguar në lidhje me deklaratat e zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi dhe kryeministrit, Albin Kurti se nuk duhet të shpallen zgjedhjet e reja në katër komunat veriore pa u hequr sanksionet.
Një zëdhënës i BE-së u shpreh se Brukseli zyrtar mbetet i shqetësuar me tensionet në veri të Kosovës dhe ka rikujtuar se BE-ja ka dënuar dhunën dhe vazhdon të bëjë thirrje tek Kosova dhe Serbia për de-përshkallëzim të menjëhershëm.
“BE-ja ka bërë kërkesa specifike për de-përshkallëzimin për të dyja palët (sipas Deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë në emër të BE-së të datës 3 qershor, propozimit të Përfaqësuesit të Lartë për të dyja palët më 22 qershor dhe konkluzioneve të Këshillit Evropian të 30 qershor).
Në deklaratën e 3 qershorit, të rënë dakord nga të 27 shtetet anëtare, BE tha qartë se ishte e gatshme të merrte masa të vendosura në rast të dështimit për të de-përshkallëzuar”, u shpreh zëdhënës i BE-së për Gazetën Express.
Zëdhënës i BE-së shtoi se mirëpresin njoftimin e Qeverisë së Kosovës për reduktim të menjëhershëm të 25 % të pranisë policore brenda dhe përreth objekteve komunale në veri, si dhe përkushtimin për uljen e mëtejshme të pranisë pas vlerësimeve të përbashkëta të sigurisë nga Policia e Kosovës, EULEX dhe nëse është e përshtatshme edhe me KFOR-in.