Trevor Saker, 44 vjeç, u dënua në Canterbury Crown Court ditën e djeshme, pasi u shpall fajtor në përpjekjet për të lehtësuar hyrjen e 14 emigrantëve në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas asaj që shkruajnë mediat e huaja, 44-vjeçari u pohoi oficerëve në kufi se po udhëtonte për nga Franca në Britani pasi kishte marrë këpucë për biznesin e ri të gruas.

I pandehuri, i cili tani banon në Spanjë, po drejtonte një furgon kur u ndalua nga oficerët e Forcave Kufitare në Zonën e Kontrollit të Britanisë në Coquelles, Francë në korrik 2018.

Oficerët gjetën 14 migrantë të paligjshëm në pjesën e pasme të furgonit, të fshehur pas kutive të kartonit.

Emigrantët u identifikuan si shtetas irakianë dhe shqiptarë. Midis grupit ishin 4 fëmijë të moshës 1 deri në 6 vjeç.

I pandehuri u shpall fajtor për asistim në emigracionin e paligjshëm pas një hetimi të plotë dhe gjykimit të mëvonshëm.