Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim sot me strukturat e PD në Vlorë.
Pjesë nga ky takim Basha i ka ndarë në profilin e tij në Facebook ku ndër të tjera shkruan se duhet të hetohen fondet për grantet e programit IPARD.
Kreu i demokratëve thotë se qeveria abuzon me fondet e BE dhe se këtë e provoi dhe çështja e inceneratorëve.
Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë është realiteti që sipas Bashës u pa nga dosja e inceneratorëve.
“Në Vlorë, me drejtuesit politikë të këtij qarku, nisëm punën për riorganizimin dhe modernizimin e Partisë Demokratike dhe aksionin politik, për t’u ofruar shqiptarëve një opozitë të fortë, efikase dhe alternativën që ata presin dhe meritojnë.
Qytetarë të varfër, korrupsion i lartë. Ky është realiteti që u pa edhe nga Dosja e Inceneratorëve ku qeveria është përgjegjëse për vjedhjen e 430 milionë eurove nga xhepat e qytetarëve.
Vendimi i Brukselit për pezullimin e granteve për bujqësinë të programit IPARD tregon babëzinë e kësaj qeverie, që abuzon edhe me fondet e BE.
Prandaj ne do të kërkojmë hetim parlamentar të fondeve IPARD, ku paratë e taksapaguesve europianë u devijuan për projekte dhe afera korruptive.
Fundi i pandëshkueshmërisë së korrupsionit në nivelet e larta është fillimi i fundit të tranzicionit dhe ndryshimi i vërtetë që shqiptarët presin,” shkruan Basha.