Sulmet ruse me dronë i kanë dëmtuar objektet e drithërave në portet e Ukrainës, Odesa dhe Izmail, gjatë natës, thanë autoritetet ukrainase më 2 gusht.
Si pasojë, në gjithë Ukrainën u lëshuan alarme për sulme ajrore.
Një silos i drithërave u dëmtuan në Izamil, njërën prej dy porteve të Danubit që Ukraina është duke i përdorur për t’i eksportuar drithërat, pasi muajin e kaluar Moska nuk pranoi ta zgjaste marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara (OKB) për eksportimin e drithërave dhe produkteve të tjera ukrainase përmes detit.
“Një tjetër depo drithi në portin e Izmailit, rajonin e Odesas, u dëmtuan nga rusët. Drithërat ukrainase kanë mundësi t’i ushqejnë miliona njerëz në mbarë botën”, tha Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës në Twitter.
Izmaili ndodhet rreth 15 kilometra në veri të Tulekës, një porti të madh të Danubit të anëtares së NATO-s, Rumanisë. Javën e kaluar, dronët rusë e goditën Renin, portin tjetër të Danubit që përdoret nga Ukraina për të eksportuar drithëra. Reni ndodhet rreth 200 kilometra përgjatë Danubit nga Rumania.
Në Odesa, dronët rusë i goditën objektet për ruajtjen e drithërave, tha guvernatori rajonal Oleh Kiper.
“Si pasojë e sulmit shpërtheu zjarri në objektet e portit dhe në infrastrukturën industriale në rajon, dhe një depo e drithërave u dëmtua”, shkroi Kiper në Telegram.
Odea, porti kryesor i Ukrainës në Detin e Zi, është goditur vazhdimisht nga granatimet dhe sulmet me ruse dronë, qëkur Rusia u tërhoq nga marrëveshja për drithërat.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha në Telegram se pjesë të portit në jug kanë pësuar dëme të mëdha.
“Ne po e mbrojmë veten me maksimumin e forcave që i kemi…Fatkeqësisht, ka dëme. Dëmi më i madh është bërë në jug të vendit. Terroristët rusë i sulmuan përsëri portet, drithërat dhe sigurinë e ushqimit global. Rusia mundet dhe duhet të ndalet”, tha Zelensky.
Edhe presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, e dënoi sulmin në portin e Danubit, duke e cilësuar atë si “krim lufte”.
“Sulmet e vazhdueshme të Rusisë kundër infrastrukturës civile të Ukrainës në Danub, në afërsi të Rumanisë, janë të papranueshme. Këto janë krime lufte”, shkroi Iohannis në rrjetet sociale.
Kremlini e përsëriti më 2 gusht qëndrimin për marrëveshjen e drithërave përmes Detit të Zi, duke thënë se është e gatshme të kthehet “menjëherë” në marrëveshje, sapo të zbatohet pjesa që i përket Rusisë./REL