Vrasësi serial James Barnes, i cili torturoi dhe vrau mizorisht gruan e tij dhe një infermiere është ekzekutuar ditën e djeshme, në burgun Raeford në Florida, ku vuante dënimin që nga viti 2005.
Dy vrasje tronditëse, të kryera në 1988 dhe 1997 lanë në burg të përjetshëm James Barnes. I cilësuar si një vrasës serial gjakftohtë, i cili nuk ka shprehur pendim në asnjë moment gjatë vuajtjes së dënimit për krimet e tij.
James Barnes ishte në burg në vitin 2005, duke vuajtur një dënim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij, Linda Barnes, të cilën e mbyti për vdekje në dhjetor të vitit 1997.
Por në atë kohë ai rrëfeu se kishte përdhunuar dhe vrarë infermieren 41-vjeçare Patricia Miller në vitin 1988.
Sipas rrëfimit të tij, Barnes hyri në dritaren e dhomës së gjumit të Millerit në Melburn, Florida në vitin 1988, ku tregoi se pasi e përdhunoi dhe vrau infermieren, i vuri zjarrin shtratit të saj për të mbuluar krimin.
Deri në rrëfimin e tij, vrasja e saj ishte e pazbardhur.
“E vrava që të mos kishte asnjë dëshmitar apo ankesë kundër meje”, ka shkruar ai në një letër.
Sakaq, mëngjesin e ditës së djeshme vrasësi serial James Barnes, vdiq nga një injeksion vdekjeprurës në burgun shtetëror të Floridës në Rainford, në moshën 61 vjeçare.
Sipas mediave, Barnes u zgjua në orën 5:30 të mëngjesit të së enjtes dhe nuk kërkoi një vakt të fundit. Ai gjithashtu nuk kishte asnjë vizitor përpara ekzekutimit.