Ministri i Brendshëm, Taulant Balla deklaroi se lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike do të jetë sistematike, referuar opracionit të policisë ku u zbulua një parcelë me kanabis në një repart ushtarak në Zall Herr.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Balla përgëzoi policinë e shtetit për angazhimin në operacion.
“Lufta kundër kultivimit, trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike do të jetë sistematike. Shqiptarët presin një pastrim të territorit tonë nga kultivimi i paligjshëm i bimëve narkotike,” shprehet ministri.
Balla shprehet i vendosur se goditja ndaj krimit do të vazhdojë e rezultatet janë të dukshme teksa thotë se mes të arrestuarve ka edhe punonjës të shtetit dhe 10 të tjerë të proceduar penalisht.
“Deri në këtë moment janë arrestuar 12 persona, mes tyre dhe punonjës të shtetit dhe 10 të tjerë të proceduar penalisht… Kultivimi i paligjshëm i kanabisit ka qenë një burim financash për organizatat kriminale. Ky burim duhet shuar përfundimisht. Goditje të tjera më të forta po vijnë,” shkruan Balla.