Angus Cloud, i cili luajti Fezco tek “Euphoria”, humbi jetën më 31 korrik në moshën 25-vjeçare. U përfol se shkak i vdekjes së tij ishte vetëvrasja, mirëpo në një postim prekës nëna e tij e ka treguar diçka tjetër.
Në statusin e saj në Facebook ajo tregon se si ai e kaloi ditën e tij të fundit, duke riorganizuar dhomën.
“Miq, dua që të gjithë ta dini se e vlerësoj dashurinë tuaj për familjen time në këtë kohë të vështirë. Dëshiroj gjithashtu të dini se megjithëse djali im ishte në pikëllim të thellë për vdekjen e parakohshme të babait të tij nga mesothelioma, dita e tij e fundit ishte e gëzueshme.”
Shkaku i vdekjes nuk është përcaktuar ende nga mjekët.
“Ai nuk kishte ndërmend t’i jepte fund jetës së tij. Kur u përqafuam dhe i thamë njëri-tjetrit ‘natën e mirë’, thamë sa shumë e donim njëri-tjetrin dhe ai tha se do të më shihte në mëngjes. Nuk e di nëse dhe çfarë mund të ketë futur në trup pas kësaj. Di vetëm që ai vuri kokën në tavolinën ku punonte për projekte artistike, e zuri gjumi dhe nuk u zgjua.”
Nëna e Cloud përmendi një dëmtim të trurit që ai pësoi kur ishte adoleshent.
“Lëndimi i tij në kokë 10 vjet më parë për mrekulli nuk rezultoi në vdekje siç ndodh pothuajse gjithmonë. Atij iu dhanë 10 vite bonus dhe i mbushi me kreativitet dhe dashuri. Postimet në rrjetet sociale kanë sugjeruar se vdekja e tij ishte e qëllimshme. Dua ta dini se nuk është kështu,” përfundon postimi i saj.