Një muaj më parë në samitin e NATO-s në Vilnus, Shqipëria mori angazhim se do të shtojë buxhetin deri në 2% për ushtrinë, ndërsa kryeministri Rama tha se vendi ynë është i gatshëm të shtojë trupat në operacionet luftarake.
Por në vend të ndihmës për NATO-n, Shqipëria ka ofruar një skandal të përmasave ndërkombëtare, që njollos forcat më të mira të ushtrisë tonë.
Parcelat me kanabis që u gjetën dje në Zall Herr i përkasin reparti ku janë forcat elitë të ushtrisë shqiptare. Ata kalojnë një stërvitje në kushte ekstreme dhe përgatiten për goditje direkte në operacione luftarake.
Një ndër funksionet kryesore të komandove të Zall Herri është edhe zbulimi special, por gjetja e 125 bimëve të kanabisit brenda në repart ka vënë në dyshim tashmë gjithçka ndodh në radhët e tyre.
Mësohet se rrënjët e kanabisit janë zbuluar nga avioni i Guardia di Finanza që monitoron territorin shqiptar. Bimët ishin rritur dhe janë pikasur menjëherë nga pajisjet e italianëve që kanë sinjalizuar policinë shqiptare.
Kanabisi ishte mbjellë në një zonë që përdoret për stërvitjen 10 ditore të ushtarëve që bëhen pjesë e forcave komando.
Si pjesë e testit është braktisja në një zonë të pyllëzuar, ku ushtarët duhet të mbijetojnë për disa ditë në kushte të vështira, duke u ushqyer me bimësinë e zonës dhe duke siguruar ujin nëpërmjet teknikave të caktuara.
Por duke qenë një zonë e veçuar brenda territorit të repartit, me pak lëvizje, disa prej ushtarakëve kanë menduar të kultivojnë kanabis në terrenin e vështirë.
Gjithsesi mbetet e pashpjeguar se si nuk ishin pikasur bimët gjatë stërvitjeve speciale të ushtarakëve elitë. Këto stërvitje përfshijnë operacionet e zbulimit, goditjet me snajper, lëvizjen në terrene të vështira etj./Lapsi.al