Ish- presidenti amerikan, Donald Trump njoftoi sot se do të kërkojë të shkarkohet gjyqtari që do të kryesojë gjyqin e tij të ardhshëm në Uashington për përpjekjen për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe nxitjen e sulmit në Kapitol më 6 janar 2021.
“Unë nuk mund të përfitoj në asnjë mënyrë nga një gjykim i drejtë me gjyqtarin e caktuar për këtë çështje qesharake të fjalës së lirë dhe zgjedhjeve të drejta,” shkroi Trump, me germat e tij të zakonshme të mëdha, në platformën e mediave sociale Truth Social.
“Të gjithë e dinë këtë, dhe po ashtu edhe ajo. Ne do të kërkojmë menjëherë që ky gjyqtar të largohet, duke pasur arsye shumë serioze, dhe gjithashtu (kërkojmë) që të ndryshohet vendi (i gjykimit) jashtë kryeqytetit”, shtoi ai në Uashington.
Gjyqtarja, Tanya Chatkan do të kryesojë gjyqin e Trump dhe njihet për dhënien e dënimeve të rënda ndaj mbështetësve të ish-presidentit që morën pjesë në sulmin në Kapitol.
Ish-presidenti u deklarua i pafajshëm më 3 gusht për të katër akuzat ndaj tij dhe më 28 gusht do ta dijë se kur do të gjykohet.
Prokurori special Jack Smith, i cili kishte qenë duke hetuar rastin, tha së fundi se ai dëshiron që gjykimi të mbahet sa më shpejt të jetë e mundur.