Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar sot në lidhje me ndërtimin e kullës 125 metra të lartë pas Teatrit të Operas dhe Baletit.
Në një reagim në Facebook ai shprehet se PD-ja do të reagojë sa herë që kasta 33-vjeccare do të bëhet bashkë si dy duar që lajnë fytyrat e nxira nga korrupsioni.
“Mali i korrupsionit në qendër të Tiranës i mbuluar nga “omertà” e bashkëfajësisë mafioze, është një karshillëk ndaj të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mos lejojnë që Shqipëria të kthehet në një parajsë për pastruesit e parave dhe miqve të tyre në politikë,” shkruan Basha.
“Prandaj sot dua të përsëris mbështetjen time dhe të Partisë Demokratike ndaj SPAK-ut, mbi të cilin bie barra e rëndë e hetimit dhe ndëshkimit të të gjithë atyre që e kanë kthyer Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave, e cila nuk dëmton vetëm ekonominë, por edhe trashëgiminë, kujtesën historike, hapësirën publike, të kthyera në plaçkë për fare pak njerëzve,” thekson Basha.
Ai po ashtu theksoi se pastrimi i politikës përmes vetting-ut, është domosdoshmëri për t’i dhënë fund epokës së korrupsionit.