Nga komunikimi i koduar përmes shërbimit të mesazheve Sky ECC, i dyshuari doli si personi që drejtonte disa korrierë.
Ai ka komunikuar edhe me persona të ndryshëm për tregtinë e drogës. I dyshuari dyshohet se drejtonte një organizatë kriminale që pastron paratë nga krimi në shkallë të gjerë.
Thanas Thoma Bako alias Athanasios Sebastian Bako konsiderohet nga Europoli si një nga “peshqit e mëdhenj” të pastrimit të parave që rrjedhin nga trafiku ndërkombëtar i drogës.
Profili i 52-vjeçarit nuk është i panjohur për policinë lokale. Në fund të viteve ‘90 dhe fillim te viteve 2000 ai është konsideruar si personazh me lidhje të forta në Sarandë me trafikantë ndërkombëtarë droge kryesisht të marijuanës nga Shqipëria në Greqi.
Megjithatë skedën penale e ka të pastër në Shqipëri. Në vitin 1998 gjithsesi ai rezulton të jetë ndodhur në Kanada.
Bako më pas ka zhvilluar aktivitetin e tij në Greqi, por mesa duket, pa i shkëputur kurrë lidhjet me botën e krimit. Vitet e fundit Bako rezulton të jetë pronar i 99 % të aksioneve në një kompani Real Estate në Greqi.
Përmes kësaj kompanie, ai rezulton se kryente pastrim të parave të karteleve të drogës, kryesisht nga Holanda e Belgjika.
Autoritetet holandeze kanë mbërritur deri tek emri i Bakos pas shkatërrimit të disa grupeve kriminale, nga komunikimet e të cilave përmes aplikacioneve të enkriptuara, kanë zbuluar një emër të koduar i cili më pas rezultoi të ishte pikërisht sarandioti 52-vjecar.