Presidenti i Republikës, Bajram Begaj ka dekretuar datën 24 shtator 2023 si datën e zgjedhjeve për Kryetar në Bashkinë Kukës pas dorëheqjes së Safet Gjicit, i cili u përfshi në një skandal seksual duke u larguar nga detyra vetëm 1 muaj pas fitores në zgjedhjet e 14 majit.
Presidenti i Republikës Bajram Begaj shpalli sot dekretin nr. 186 datë 11.08.2023 për “Caktimin e datës së zgjedhjeve për Kryetar të Bashkisë Kukës”.
Safet Gjici u arrestua më 24 qershor2023 në Tiranë për korrupsion pasiv pasi dyshohet se ka favorizuar Alma K., duke i ofruar mbështetje financiare, me vendim të Këshillit Bashkiak, mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.
Vetë 40-vjeçarja ka pranuar se donte nga Gjici tenderin e qenve, ndërsa ish-kryebashkiaku ka thënë se nuk e ka shkelur ligjin.
Të dy kanë pretenduar se kishin një lidhje intime me njëri-tjetrin përpara se të flisnin në zyrën e shtetit për tender e favorizime dhe pasi kishin kryer marrëdhënie seksuale.