Sot është dita e fundit për betimin e kryebashkiakut Fredi Beleri dhe në Himarë u zhvillua një protestë në mbrojtje të tij.
Nga burgu Beleri ka pasur një mesazh dhënë në mediat greke, teksa tregon se nuk e ka humbur shpresën që do të marrë drejtimin e Bashkisë.
“Jam mirë, jam i fortë. Jam duke pritur. Kanë kaluar 3 muaj, jam i vendosur të betohem kryetar bashkie dhe të shkoj atje ku më kanë emëruar himariotët. Dua t’u them atyre të jenë të fortë, të presin dhe të kenë besim te Zoti. Drejtësia mund të jetë e ngadaltë. Ndonjëherë më shpejt, ndonjëherë më ngadalë, por në fund fiton gjithmonë,” tha Beleri nga burgu për mediat greke.
Kujtojmë se në fillim të muajit, SPAK çoi për gjykim dosjen ndaj kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. SPAK argumentoi se nga provat e administruara gjatë hetimit, rezulton se është e provuar që Alfred Beleri i ka ofruar Arsen Ramës 50 euro për çdo person që ai do gjente dhe që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë, në zgjedhjet vendore të 14 majit.