Nis sot dhe për një javë rresht, deri më 24 gusht, pelegrinazhi i Bektashinjve në malin e Tomorrit. Për të shmangur pikërisht problemet në lidhje me këtë organizim të madh dhe për të siguruar që gjithçka të shkojë mirë, policia Berat ka ndërmarrë një plan të detajuar masash.
Itinerari për drejtuesit e mjeteve që shkojnë në drejtim të malit të Tomorrit (drejt teqesë) do të jetë: “Hyrja e qytetit të Beratit–Rrethrrotullimi i Kombinatit–Unaza e qytetit–Rrethrrotullimi i Uznovës–Kryqëzimi i Plirëzit–Teqeja e Kulmakut”.
Itineraret për drejtuesit e mjeteve që kthehen nga mali i Tomorrit ( nga teqeja) do të jenë: “Teqeja e Kulmakut-Bargullaz-Pronovik–Poliçan–Uznovë-Rruga kryesore “Antipatrea”–Rrethrrotullimi i Kombinatit” dhe “Teqeja e Kulmakut–Novaj-Bogovë-Poliçan-Uznovë-Rruga kryesore “Antipatrea”–Rrethrrotullimi i Kombinatit”.
Drejtuesit e mjeteve dhe pelegrinët që vijnë nga qyteti i Çorovodës, këshillohen të përdorin aksin rrugor “Çorovodë–Gjerbës–Teqeja e Kulmakut” dhe anasjellas.
Për mjetet: Në akset rrugore “Vlashuk Kuçovë-Berat”, ”Ura Kuçit–Dimal-Berat”, “Pobrat-Dimal-Berat”, ”Berat-Mali i Tomorrit”, ”Berat-Çorovodë” dhe ”Çorovodë-Gjerbës-Mali i Tomorrit” nuk do të lejohen të qarkullojnë mjetet e tonazhit të rëndë nga ora 06:00 – 24:00, gjatë gjithë ditëve të pelegrinazhit. Autobusët, furgonat me mbi 8 persona dhe minibusët nuk do të lejohen të qarkullojnë në aksin rrugor “Plirëz –Teqeja e Kulmakut–Mali i Tomorrit”.
Për shkak të parametrave të rrugës, në segmentin rrugor “Plirëz-Teqeja e Kulmakut”, qarkullimi i mjeteve do të kryhet në kolonë dhe nuk do të lejohen parakalimet. Gjithashtu, janë të ndaluar qëndrimi dhe pushimi i mjeteve, në akset rrugore. Drejtuesit e mjeteve duhet të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë, për vendet ku do të lejohet qëndrimi dhe parkimi i mjeteve.









