Numri i të huajve të interesuar që ta mësojnë gjuhën shqipe dhe të studiojnë në fushat e albanologjisë është në rritje, ndërkohë që interesimi i të rinjve në Kosovë për të studiuar gjuhën ose letërsinë shqipe është duke rënë në vazhdimësi, thonë zyrtarë të Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Interesimin e të huajve e dëshmon numri i 120 pjesëmarrësve në kurset e gjuhës shqipe në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, edicioni i 41-t i të cilit është duke u mbajtur aktualisht në Prishtinë, thotë Bardh Rugova, drejtor i seminarit dhe udhëheqës i Departamentit të Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë në UP.
Por, numri prej 20 konkurrentëve, të paraqitur në afatin e parë të pranimit të studentëve në Degën e Gjuhës Shqipe në këtë fakultet, si dhe numri prej gjashtë konkurrentësh të paraqitur në degën e Letërsisë Shqipe, është paralajmërim i mungesës së interesimit për të studiuar këto dy fusha të albanologjisë, Lindita Sejdiu –Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë.
Rënia e numrit të studentëve në këto dy departamente është evidentuar vit pas viti.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) thotë se është e gatshme të mbështesë përpjekjet e departamenteve të caktuara për tërheqjen e studentëve të rinj.
Leo Sokoliq është nga kryeqyteti slloven, Lubjana. Ai ka ardhur për herë të parë në Kosovë, për të marrë pjesë në kurset e gjuhës shqipe që organizohen në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Ai thotë se edhe më herët ka ndjekur kurset e gjuhës shqipe në Lubjanë, por seminari në Prishtinë, sipas tij, i jep mundësinë e komunikimit të përditshëm në shqip./REL
Artikulli i plotë këtu.