Shtëpia e futbollit evropian, UEFA, i ka përjashtuar tifozët e Dinamo Zagrebit nga të gjitha ndeshjet si mysafirë në garat evropiane këtë sezon, pasi një tifoz grek u vra në përleshjet e dhunshme në Athinë muajin e kaluar.
Ky vendim vjen disa orë pasi Zagrebi u eliminua nga Liga e Kampionëve pas barazimit 2:2 në ndeshjen kthyese kualifikuese kundër AEK-ut të Athinës në Greqi të shtunën, e cila ishte shtyrë për shkak të dhunës.
Ndeshja ishte paraparë të luhej më 8 gusht, por u shty për 19 gusht, pas vdekjes së 29-vjeçarit Michalis Katasouris, në përleshjet e dhunshme mes tifozëve pranë stadiumit të AKE-ut.
Gati 100 tifozë kroatë të futbollit u arrestuan në Athinë, nën akuza serioze penale, që përfshijnë vrasje dhe pjesëmarrje në një organizatë kriminale. Tifozët e Dinamos kishin udhëtuar për në Athinë, edhe pse klubi i tyre e kishte të ndaluar nga UEFA t’u shiste bileta atyre për këtë ndeshje, e cila cilësohej si e rrezikut të lartë.
Presidenti i UEFA-s, Aleksandar Ceferin, u takua me kryeministrin grek Kzriakos Mitsotakis të mërkurën në Athinë, për të diskutuar se si të përballen me dhunën në mesin e tifozëve të futbollit.
UEFA tha të dielën më 20 gusht se të gjithë ndeshjet e Dinamos cilësohen tani si “me rrezik të lartë dhe kjo u konfirmuar, fatkeqësisht, nga shkalla ekstreme e incidenteve” në Athinë.
Dinamo është urdhëruar nga UEFA ta “krijojë dhe zbatojë një strategji për ta çrrënjosur dhunën e ndërlidhur me klubin, në bashkëpunim me autoritetet politike, të sigurisë dhe të futbollit në Kroaci”./REL
Artikulli i plotë këtu.