Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen tha të hënën se bisedoi me kryeministrin të Kosovës, Albin Kurti rreth nevojës për uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë.
Dy zyrtarët u takuan në Athinë me ftesë të kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis, i cili është nikoqir i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) më 21 gusht, për një diskutim joformal rreth zgjerimit të BE-së dhe të ardhmes evropiane për rajonin.
Von der Leyen tha në X, rrjetin social e njohur si Twitter më parë, se me Kurtin foli edhe për nevojën për t’u “riangazhimuar në dialogun e ndërmjetësuar nga BE”, duke shtuar se “është jetësore kapërcimi i pengesave në rajon dhe sjellja e Ballkanit Perëndimor më afër BE-së.”
Kurti, ndërkohë, shkroi në X se në takim me shefen e KE-së theksoi “rëndësinë për zbatimin e plotë pa kushte të Marrëveshjes Bazike.”
“Ishte kënaqësi ta takoja presidenten e Komisionit Evropian, në Athinë. Ne biseduam për marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimin rajonal dhe planin e BE-së për rritje për WB6 (Forumi i Investimeve i Dhomave të Ballkanit Perëndimor), si dhe dialogun”, shtoi ai.
Tensionet në veri të Kosovës u rritën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri – të banuara me shumicë serbe – u futën në ndërtesat komunale të Zveçanit, Leposaviçit dhe Zubin Potokut./REL
Artikulli i plotë këtu.