Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky do të vizitojë ditën e sotme Greqinë, ku do të marrë pjesë në darkën me liderët e Ballkanit Perëndimor të organizuar nga kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.
Sipas “To Vilma”, lajmi për vizitën e Zelensky-t në Athinë nuk u dha më herët nga autoritetet për arsye sigurie.
Mitsotakis ka thirrur në një takim informal liderët e Ballkanit Perëndimor, por ftesa për Shqipërinë nuk i ka shkuar kryeministrit Rama.
Zyrtarisht pala greke përcolli ftesën presidentit Begaj për të përfaqësuar Shqipërinë i cili e ka refuzuar ftesën me motivin se ka axhendë të paracaktuar.
Kjo mbledhje vjen përpara takimit të radhës te vendeve të Ballkanit Perëndimor me vendet e BE-së në kuadër të procesit të Berlinit, takim i cili do të mbahet në muajin tetor në Tiranë.
Marrëdhëniet Shqipëri-Greqi nuk janë në fazën e tyre me të mirë për shkak të çështjes “Beleri” pasi arrestimi dhe moslejimi i betimit të tij e ka çuar zemërimin e grekëve deri në Bruksel.