15 persona humbën jetën dhe 36 të tjerë u plagosën në një aksident trafiku pranë qytetit Tehuacan, në shtetin qendror meksikan Puebla.
Lajmin e kanë bërë të ditur sot autoritetet meksikane. Aksidenti ndodhi në agim në autostradën që lidh Oaxaca me Puebla.
Një kamion u përplas me një autobus që transportonte kryesisht emigrantë venezuelianë.
Të plagosurit u dërguan në një spital në Tehuacan, qyteti i dytë më i madh në shtetin e Puebla.
Mijëra emigrantë të parregullt – kryesisht nga vendet e Amerikës Qendrore (si Guatemala, Hondurasi, El Salvador) por edhe nga Haiti, Kuba apo Venezuela – kalojnë Meksikën çdo vit, duke shpresuar të arrijnë në SHBA.
Shumica janë shfrytëzuar nga rrjetet e trafikimit.