Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç ka reaguar pas kërcënimeve të ministrit serb të mbrojtjes, me destabilitet të rajonit për qëndrimet e mbajtura ndaj Kosovës të Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi.
Millatoviç, duke iu përgjigjur kërcënimeve të Serbisë e konsideroi të papranueshme çdo përpjekje nga aktorë të huaj, për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi.
Ai tha se legjislatura e 28-të e Kuvendit është pasqyrë e vullnetit të qytetarëve të Malit të Zi, të cilët sipas Kushtetutës janë mbartës të sovranitetit.
Më parë ministri i mbrojtjes i Serbisë dhe kryetari i Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviç ka deklaruar se Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe duke kërcënuar me destabilizimin e rajonit.
“Ke bërë një gabim dhe do të të godasë në kokë, ashtu siç i godet në Ukrainë të gjithë ata që e promovuan Kosovën si shtet të pavarur. Ju e keni hapur kutinë e Pandorës. Përgjigjet tuaja burokratike se Kosova është ‘sui generis’, se është një rast i veçantë, janë qesharake. As Albin Kurti dhe as Tirana nuk të besojnë në këtë,” ka thënë Vuçeviç për mediat në Serbi.