Fillimisht kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis deshi t’i jepte një shtysë të re procesit të zgjerimit të BE. Ai ftoi të hënën (20.08.2023) për një darkë në Athinë krerët e qeverive të vendeve të Ballkanit për të shënuar 20 vjetorin e të ashtuquajturit “Premtimi i Selanikut”.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova presin prej 20 vitesh në dhomën e pritjes së BE. Në qershor 2003 BE konfirmoi, se e mbështet pa rezerva orientimin evropian të shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Pas darkës liderët e vendeve të Ballkanit theksuan mbështetjen e tyre të palëkundur “për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, bazuar në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës kundër agresionit rus”. Përveç vendeve aspirante të BE, të pranishëm ishin edhe vendet anëtare të BE në Ballkan. Vetëm kryeministri i Shqipërisë Edi Rama nuk ishte i ftuar për shkak të tensioneve aktuale mes Greqisë dhe Shqipërisë.
Krerët e qeverive të Serbisë, Republikës së Moldavisë, Malit të Zi, Greqisë, Rumanisë, Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Kroacisë dhe Ukrainës nënshkruan të ashtuquajturën “Deklarata e Athinës”, sipas së cilës “krimet e luftës dhe krimet e tjera nuk duhet të mbeten pa u ndëshkuar”. Të gjithë ata që janë përgjegjës për krime si sulme ndaj civilëve, por edhe për shkatërrimin e infrastrukturës, duhet të japin llogari, kërkojnë nënshkruesit në deklaratë.
“Deklarata e Athinës” përmbante edhe disa rreshta për arsyen e hershme të takimit: se është urgjentisht e nevojshme të përshpejtohet rruga e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE. Megjithatë për një “zhvillim të ri në këtë çështje” nuk kishte asnjë shenjë./ DW