Rrethanat rreth rrëzimit të djeshëm të avionit privat që mbante shefin e Wagner, Yevgeny Prigozhin dhe nëntë persona të tjerë mbeten të paqarta, por pamjet e rrëzimit të Embraer-it që qarkullojnë në internet ofrojnë “ushqim” për skenarë të ndryshëm të riprodhuar nga mediat ndërkombëtare.
62-vjeçari “komandant lufte” tashmë konsiderohet zyrtarisht i vdekur, pas konfirmimit nga shërbimi rus i aviacionit civil Rosaviatsia se Prigozhin dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Dmitry Utkin, ishin në bordin e avionit privat që po fluturonte nga Moska në Shën Petersburg dhe u rrëzua në rajonin Tver, pa të mbijetuar.
Videot e ngarkuara në llogaritë në platformën Telegram tregojnë djegie të mbeturinave në një fushë, apo edhe një avion që bie nga qielli. Sipas një kanali në platformë, “shpërthime” janë dëgjuar para se avioni të rrëzohej.
Siç është paralajmëruar, në Rusi ka nisur një hetim për “shkelje të rregullave të sigurisë së transportit ajror”. Një grup hetimor është “dërguar në vendngjarje (…) për të konstatuar shkaqet e aksidentit”, sipas një deklarate nga Komiteti Hetimor Rus (zyra e prokurorisë).
Aktualisht, 8 nga trupat e pasagjerëve janë nxjerrë nga rrënojat sipas agjencive ruse. TASS raportoi se avioni shpërtheu në flakë pasi u përplas në tokë. Rrjeti amerikan CNN thekson se për momentin nuk është bërë e mundur të verifikohet vërtetësia e klipit, megjithatë analistët sqarojnë se pamjet në fjalë, nëse rezultojnë të vërteta, “tregojnë” një lloj shpërthimi.
Ajo rrotullohet teksa bie me shpejtësi të madhe dhe lë pas shumë tym. Prandaj bëhet fjalë për një avion që ka marrë flakë. Duket gjithashtu se i mungojnë pjesët strukturore të avionit, disa sipërfaqe aerodinamike” tha gazetari veteran i hapësirës ajrore Miles O’Brien për rrjetin amerikan pas shqyrtimit të videos.
“Një avion si ky… thjesht nuk bie nga qielli ashtu pa ndodhur diçka shumë e pazakontë” shtoi ai. Sipas tij, rënia ka të ngjarë të jetë shkaktuar nga një shpërthim brenda ose jashtë aeroplanit, si p.sh. kur një mjet shpërthyes shpërthehet ose goditet nga një raketë.
David Soucy , një ish-inspektor i sigurisë në Administratën Federale të Aviacionit të SHBA-së, vjen në përfundime të ngjashme pasi ka parë videon e rrëzimit të avionit të cilit i mungon një krah.
Sipas Daily Mail, teoria se përplasja u shkaktua nga një bombë e fshehur brenda një kuti verërash të shtrenjta që ndodhej në aeroplan po qarkullon në rrjetet sociale ruse. Avioni i përkiste kompanisë MNT-Aero, e specializuar në transportin ajror të biznesmenëve.
Zëdhënësi i qeverisë franceze Olivier Veran tha sot se kishte “dyshime të arsyeshme” për “rrethanat” e rrëzimit të avionit në të cilin Prigozhin, i cili kishte udhëhequr një kryengritje në Rusi në qershor, u raportua se kishte vdekur.
Ndërsa presidenti amerikan Joe Biden tha dje, të mërkurën, se “pak gjëra ndodhin në Rusi pa përfshirjen e Putinit në një farë mënyre”. Për Veranin, Yevgeny Prigozhin është mbi të gjitha “njeriu i punës së pistë të Putinit”.
Vdekja e Prigozhin, kërcënojnë luftëtarët e “Wagner”: Bëhuni gati, ne do vijmë