Ngjarje e rëndë në Kosovë. Një prej dhomave në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike në Prishtinë është përfshirë nga zjarri të mërkurën mbrëma. Spitali ka njoftuar se në të njëjtin repart, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin dhomës së mbyllur dhe për shkak të tymit ka vdekur.
“Mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore.
Në të njëjtin Repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin”, ka njoftuar spitali.
Një paciente tjetër, ekipi kujdestar ku përfshiheshin dy mjekë dhe dy infermiere kanë pësuar shenja të helmimit nga tymi dhe janë trajtuar në Emergjencë. Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.