Futbollistja e ekipit kombëtar të grave të Spanjës, Jennifer Hermoso, ka thënë të premten se u ndje sikur ishte sulmuar nga presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës (RFEF), Luis Rubiales, kur ai e puthi me forcë atë pas finales së Kupës së Botës.
“U ndjeva e cenuar dhe viktimë e një sulmi, një veprimi impulsiv dhe maskulinor; një veprimi të pavend me asnjë lloj pajtimi nga ana ime. Thjesht, unë s’u respektova”, tha Hermoso në një deklaratë në rrjetet sociale më 25 gusht.
Veprimi i Rubiales ka shkaktuar polemika të mëdha në Spanjë dhe më gjerë, si dhe thirrje për dorëheqjen e tij.
Qeveria spanjolle ka nisur procedura ligjore ndaj 46-vjeçarit, ndërsa shtëpia e futbollit botëror, FIFA, ka nisur procedurë disiplinore ndaj tij.
Rubiales ka refuzuar të japë dorëheqje përballë presionit nga politikanët, lojtarët, sindikatat dhe Federata Botërore e Futbollit (FIFA) pasi puthi futbollisten në buzë pas fitores së Spanjës kundër Anglisë në Kupën e Botës fundjavën e kaluar.
Duke folur në një asamble urgjente të RFEF-së, Rubiales u ankua se “feministët e rremë” po “përpiqen të më vrasin”. Ai e përshkroi puthjen si një veprim “të lirë, të ndërsjellë dhe konsensual”.
“A do të më nxjerrë nga këtu një puthje konsensuale? Nuk do të jap dorëheqje. Do të luftoj deri në fund”, tha Rubiales, duke marrë duartrokitje nga audienca kryesisht e përbërë me burra.
Rubiales është kritikuar gjatë gjithë javës pas incidentit që ndodhi teksa lojtarëve po u jepeshin medaljet e tyre të arta, pas fitores në finalen e Kupës së Botës më 20 gusht./REL
Artikulli i plotë këtu.