Nga forumi i Bledit në Slloveni, kryeministri i Kosovës u shpreh se pret që fushata për zgjedhjet në katër komunat në veri të jetë e qetë. “Na duhet të ulim tensionet.
Është bërë gati 2 muaj që në bashkitë në veri nuk ka protesta dhe incidente, kemi ulur me dyfish numrin e policëve. Besoj se do të kemi fushatë të ndershme dhe të hapur për zgjedhjet” tha ai.
Ai foli edhe për vendet brenda BE-së që nuk e njohin Kosovën. “Pesë vende ende nuk na njohin, ne po punojmë në mënyrë bilaterale, por edhe në Bruksel dhe atmosfera është më e mirë sesa më parë.
Ka disa hapa konkretë, shpresojmë që të ndryshojnë qëndrimin e tyre, që të na njohin. Vendet skeptike t’i bindim përmes progresit. Jemi optimistë për kohën përpara dhe presim që të bashkohemi me BE-në. Mendoj se në pak vite mund të bëhemi anëtarë të BE-së” tha ai.
Duke iu përgjigjur drejtuesit të panelit, kryeministrja serbe Ana Bërnabiç reagoi duke thënë se “Nuk ka dy vende. Kosova nuk njihet nga OKB. Dyshoj që të jetë pjesë e BE-së derisa ka pesë vende që nuk e njohin.
E vetmja gjë që Prishtina duhet të bënte me marrëveshjen e Brukselit është themelimi i bashkësive serbe.
Kurti thotë se marrëveshja e Brukselit nuk ekziston. Le ta përsëris, ky është hapi i parë për normalizimin. Po presim Asociacionin. Për cdo gjë tjetër, ne jetojmë për paqe dhe stabilitet”.
Albin Kurti iu përgjigj “flakë për flakë”. “94% në Kosovë janë pro BE-së. Ne kemi vendosur sanksione kundër Rusisë, Serbia, “JO”, as nuk e mendon. Nuk e distancon veten as nga Millosheviçi as nga Putini.
Normalizimi me Serbinë është shumë herë më i vështirë. Normalizimi nga pikëpamja psikologjike do të thotë mungesë të konfuzionit mes realitetit dhe fantazisë, ky është një regjistër tjetër ku unë nuk mund të kontribuoj” tha ai.