Veshja e fustaneve abaja nga disa vajza myslimane në shkollat franceze është “sulm politik”, tha të hënën zëdhënësi i Qeverisë së Francës, Olivier Veran, ku foli për ndalimin e kësaj veshjeje.
Ministri i Arsimit i Francës, Gabriel Attal, tha të dielën se fustanet e gjata e lirshme, me origjinë nga Lindja e Mesme, nuk do të lejohen më në shkolla nga viti i ri shkollor që nis javën e ardhshme, sepse e shkelin ligjin laik.
Abaja është një fustan që mbulon tërë trupin, përveç kokës, dhe kombinohet me një hixhab apo mbulesë tjetër e kokës nga gratë myslimane në vende e botës myslimane, kryesisht në Lindjen e Mesme.
Veran tha se abaja “është qartazi” veshje fetare dhe “sulm politik, shenjë politike”, të cilën ai e cilëson si përpjekje për konvertim në islam.
“Shkolla është laike. Ne e themi këtë në mënyrë shumë të qartë por të prerë: nuk është vend për atë veshje,” theksoi Veran për televizionin BFM.
Attal tha të hënën se qeveria e ka bërë të qartë se abaja “nuk e ka vendin në shkolla”.
“Shkollat tona po sprovohen. Muajt e fundit, shkelja e rregullave laike është rritur dukshëm, posaçërisht për veshjen e rrogave fetare, siç është abaja dhe të tjera, të cilat janë parë dhe kanë mbetur në disa institucione,” tha Attal.
Vendimi i Attalit për ta ndaluar abajasin ka nxitur debat të ri për rregullat laike të Francës, dhe nëse ato po përdoren për ta diskriminuar pakicën e madhe myslimane të vendit.
Një ligj në mars të vitit 2004 e ndaloi “veshjen e shenjave apo rrogave në shkollë përmes të cilave studentët tregojnë se i përkasin një feje”.
Kjo përfshin kryqe të mëdha të fesë krishtere, kapela hebraike (kippas) dhe shami islamike. /REL
Artikulli i plotë këtu.