Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të normalizojnë raportet, para se aleatët të nisin të merren me zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Bashkimin Evropian.
Në një intervistë për “Bloombergun” në Slloveni, Kurti ka thënë se ekziston “një ndjenjë urgjence për ta implementuar marrëveshjen dhe që të normalizohen raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër, më së voni deri në pranverën e vitit të ardhshëm”.
Përpos urgjencës për zbatim të marrëveshjes së normalizimit, Kurti ka thënë se është i gatshëm edhe për organizimin e zgjedhjeve të reja komunale në veri, sipas marrëveshjes së arritur me emisarin e posaçëm të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Kurti ka komentuar edhe masat e vëna nga Perëndimi ndaj Kosovës, pasi që Qeveria nuk përfilli kërkesat e aleatëve që të mos i dërgojë kryetarët e rinj të komunave në veri, në objektet komunale.
“Masat po na dëmtojnë në aspektin e mbështetjes financiare dhe materiale të fondeve dhe granteve dhe kredive që marrim nga BE-ja. Po dëmtojnë agjencitë tona shtetërore dhe komunitetin tonë të biznesit”, ka thënë ai.
Kurti është shprehur se “Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja duan të ndihmojnë dhe përkrahin Kosovën”. Por gjithashtu duan ta largojnë Serbinë nga ndikimi rus, ka shtuar ai.