Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, mësohet t’i ketë thënë përfaqësuesit evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se është shumë i shqetësuar lidhur me zhvillimin e ngjarjeve në Kosovë.
Vuçiç dhe Lajçak u takuan sot në Beograd dhe sipas një postimi të bërë në llogarinë e presidentit serb në Instagram, zhvilluan një takim prej më shumë se dy orësh.
Takimi në Beograd vjen pasi Lajçak tha më 28 gusht se kishte zhvilluar “një takim të rëndësishëm” me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Forumit Strategjik të Bledit, si pjesë e përgatitjeve për rundin e ri të dialogut në nivel të lartë, që parashihet të mbahet në shtator.
“Çështja kryesore e takimit ishin përgatitjet e takimit të ri të nivelit të lartë në dialogu në shtator, me fokus në normalizimin e raporteve dhe zbatimin e marrëveshjes së 3 qershorit,” shkroi Lajçak në platformën X.
Po ashtu sot Bashkimi Evropian përsëriti thirrjet për Kosovën dhe Serbinë që të krijojnë kushte për vazhdimin e dialogut për normalizimin e raporteve.
Kurti dhe Vuçiç për herë të fundit janë takuar më 2 maj, nëntë ditë pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në katër komunat në veri të Kosovës, që u bojkotuan nga serbët.
Tensionet në veri të Kosovës nisën në fund të majit, kur kryetarët e rinj shqiptarë hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës. /REL