-sidi education-spot_img
7.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Veton Surroi: Devalvimi

Kryesoret

Serbia ka vënë bast në dhjetë vjetët e fundit se ajo është më e rëndësishme për Evropën se sa është Evropa për të. Dhe në bastin mes monedhës politike të Serbisë dhe asaj evropiane, BE-ja është në gjendje të përhershme të devalvimit të monedhës së saj

1.

Në shtator të vitit të kaluar të dërguarit e posaçëm të kryeministrit gjerman dhe presidentit francez ua paraqitën Kosovës dhe Serbisë një plan për normalizim të marrëdhënieve të tyre të ndërsjella. Parimi ishte se këto dy shtete do të zhvillonin marrëdhënie normale ndërshtetërore, bazuar në Kartën e OKB-së, por nuk do t’u kërkohej fillimisht që të njihnin në formë të ndërsjellë pavarësinë e njëra-tjetrës.

Në shtator të këtij viti, në vend të marrëdhënieve ndërshtetërore por pa njohje të ndërsjellë, diplomacia e Bashkimit Evropian do t’u ofrojë kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë që të ulen dhe të bisedojnë për “deklaratën e BE-së së 6 qershorit”. Bazuar në këtë deklaratë, Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë për atë se sa policë të Kosovës mund të rrinë në objektet e katër komunave të veriut të vendit, në çfarë objekte alternative mund të kryejnë funksionet kryetarët e zgjedhur (me 3 për qind të votave) dhe si të organizohen zgjedhjet e jashtëzakonshme për të katër komunat.

Në politikë ky zhvillim i një viti mund të marrë emra të ndryshëm, por në shkencat ekonomike ka një emër devalvim, humbje e vlerës. Pra, në një formulim të thjeshtë, Gjermania dhe Franca në shtator të vitit të kaluar paraqitën një model normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë bazuar në atë të dy Gjermanive, dhe këtë e paraqitën si zgjidhje e cila qoftë të pranohej a refuzohej do të përbënte kutin për matjen e marrëdhënieve mes dy fuqive evropiane dhe këtyre dy shteteve përkatëse. Diplomacia e BE-së e mori një produkt të gatshëm diplomatik dhe e shndërroi në një masë brumi që mund të gatuhet dosido. Duke u gatitur dosido ka arritur që diplomacia evropiane tash të negociojë me Kosovën dhe Serbinë në bazë të “deklaratës së 6 qershorit”.

Plani “franko-gjerman” për normalizim është sot “deklarata e 6 qershorit”.

2.

Publiku nuk ka pse të dijë se çka është deklarata e 6 qershorit. Nuk besoj se do të ketë vlerë për këdo tjetër: vështirë e paramendueshme që dhjetë vjet më pas (dhe po shkoj larg me datë) dikush të mbajë mend në BE a në regjionin tonë se çka është deklaruar më 6 qershor. (Kjo datë do të kishte vlerë si një shpallje të pavarësisë, por kjo nuk vlen për BE-në).

Por, publiku mund të dijë se në shtator të vitit të kaluar Franca dhe Gjermania u përpoqën të bëjnë diçka të jashtëzakonshme, që të paraqesin parimet tavan nën të cilat do të ndërtohej normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Parimet ishin se Kosova e Serbia si dy shtete të pavarura do të duhej të vendosnin marrëdhënie të mira fqinjësore, pa nevojën e njohjes së ndërsjellë formale. Këto parime iu ofruan Kosovës e Serbisë si ultimative; Kosova i pranoi, Serbia i pranoi si kornizë për bisedime të ardhshme.

Serbia, me kornizë të bisedimeve të ardhshme, përcaktoi se këto parime nuk do të jenë kulmi i përbashkët nën të cilin do të ndërtohej shtëpia e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, por një themel fillestar. Në interpretimin e Serbisë, Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë për marrëdhëniet e tyre, herë për targa, herë për rrethrrotullimin e Mitrovicës së Veriut, herë për sa policë duhet të jenë në objektet komunale në Veri, herë për zgjedhje…

3.

Sipas Serbisë, për “normalizim”, do zhvilluar negociata prej poshtë-lart. Pra do zgjidhur çështjet e veçanta për të arritur dikur te pika e përcaktimit të natyrës së marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në kohën e Millosheviqit ky parim u zbatua me Marrëveshjen e arsimit të Saint Egidios, me të cilin po qe se studentët kthehen në ndërtesa të fakulteteve do të arrihet normalizimi.

Në kohën e Vuçiqit ky parim po përpiqet të zbatohet kurdo që paraqitet mundësia. Nëse bën me Bashkësinë e komunave serbe, mirë. Nëse bën me zgjedhjet të jashtëzakonshme në Veri të Kosovës, së bashku me bashkësinë e komunave serbe, aq më mirë. Nëse nuk bën asnjëra sot, normalizim do të quhet për nevoja ditore a javore ky apo ai numër i policëve të Kosovës në komunat e veriut.

Për të ndërruar një model të këtillë, Franca dhe Gjermania vendosën vitin e kaluar parimin prej lart-poshtë. Pra, do të pranohej prej të dy palëve se janë shtete sovrane dhe se duhet të normalizojnë marrëdhëniet e tyre brenda ombrellës së këtij parimi. Me këtë përfundimisht largohej mekanizmi i negociatës për çdo çështje të veçantë, prej targave e tutje.

Por, prej shtatorit të vitit 2022 deri në shtator të vitit 2023, prej tri palëve të angazhuara në këtë model të ri, fitues doli një, Serbia. Ajo që ishte marrëveshja bazike “franko-gjermane” sot është “deklarata e 6 qershorit”.

Në sfond është lufta e Rusisë kundër Ukrainës. Plani franko-gjerman lindi edhe për shkak të këtij momenti gjeopolitik; devalvimi i tij ndodh si përgjigje e suksesshme e Serbisë (dhe Rusisë) për ta treguar dobësinë e politikës evropiane në regjion.

4.

Do të dalë si e padrejtë të fajësohet Serbia. Presidenti Vuçiq u deklarua haptazi se nuk e nënshkruante, nuk e pranonte gojarisht dhe nuk e përkrahte Planin franko-gjerman. Diplomacia e BE-së është ajo që zuri të interpretonte se çka në të vërtetë mendon Serbia kur thotë “jo”, duke mos pranuar se ka thënë “jo” . Diplomacia e BE-së është ajo që zuri të interpretonte se Serbia është e përcaktuar në rrugën e vet evropiane në kohën kur përkrahja e qytetarëve dhe shtetit të Serbisë për BE-në nuk ka qenë më e ulët.

Diplomacia e BE-së shpiku prej Serbisë një partner evropian kur çdo sinjal i Serbisë është pro-Putinit: presidenti i Serbisë në darkën e fundit në Selanik arriti që prej komunikatës së përbashkët të nxirret pjesa ku përmenden sanksionet ndaj Rusisë dhe dënimi i politikës së Putinit. Në politikën evropiane ndaj Ballkanit Perëndimor emërtuesin e përbashkët e përcakton Serbia dhe është aq i ulët sa të mos dënojë Putinin dhe të sanksionojë Rusinë.

Kjo është logjika e devalvimit. Një monedhë do të ketë vlerë për aq sa kërkohet. Serbia ka vënë bast në dhjetë vjetët e fundit se ajo është më e rëndësishme për Evropën sesa është Evropa për të. Dhe në bastin mes monedhës politike të Serbisë dhe asaj evropiane, BE-ja është në gjendje të përhershme të devalvimit të monedhës së saj.

Më 2011, BE-ja mori detyrën që të normalizojë marrëdhëniet mes dy shteteve, njëri prej të cilëve (Kosova) u vlerësua nga GJND-ja se nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare kur kishte shpallur pavarësinë e vet. Më 2023, dymbëdhjetë vjet më pas, BE-ja i jep detyrë vetes që të negociojë rreth deklaratës së vet të 6 qershorit.

Dhe këtë e bën pasi ka shpallur se gjendet në një moment historik, një moment kthesë, të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës./ Koha.net

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit