Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e drejtuar nga Belinda Balluku ka bërë gati një tender për shërbim konsulence me vlerë 235,431,048.35 Lekë ose mbi 2 milionë Euro. Qëllimi është mbikëqyrja e ecurisë së punimeve për zbatimin e kontratës koncesionare për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor “Thumanë – Vorë – Kashar”. Kjo rrugë po ndërtohet nga biznesmeni Bashkim Ulaj që fitoi koncesionin. “5Pyetjet.al” publikon dokumentet e tenderit.
“Objekti i punës së Inxhinierit të Pavarur do të bazohet në atë që përmbahet në Shtojcën 5 të Kontratës së Koncesionit, miratuar me VKM nr. 360, datë 26.5.2022 “Për Miratimin e Kontratës së Koncesionit/Partneritetit Publik Privat ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si Autoriteti Kontraktor, dhe Shoqërisë “Gener 2” Sh.p.k., si Koncesionari, dhe Shoqërisë “G2 Infra” Sh.p.k., si Shoqëria Koncesionare, “Për Projektimin, Ndërtimin, Operimin, Mirëmbajtjen dhe Transferimin e Aksit Rrugor Thumanë–Vorë–Kashar” thuhet në dokumentet e tenderit.
Konsulentit i kërkohet të ofrojë ekspertizë në të gjitha fushat e koncesionit pa përjashtim. “Çdo aspekt i ecurisë së koncesionit duhet t’i nënshtrohet certifikimit në bazë të sistemeve të tij të cilësisë dhe auditimit sa i takon cilësisë në lidhje me rezultatet e koncesionarit me cilësi të siguruar dhe kontrolluar” thuhet më tej. Në relacionin shpjegues janë një listë e gjatë detyrash për fituesin për të kontrolluar në çdo cep punimet që po realizon firma. Kontrata është 24 muaj, plus 12 muaj të tjerë përgjegjësi defektesh. Rruga me një gjatësi 21 kilometra fillon në Thumanë dhe sipas raportit vazhdon deri në autostradën Tiranë – Durrës, me te cilën lidhet me anë të një nyje të re në disnivel.
Autostrada e re do të kalojë në zonat urbane dhe gjysmë-urbane të Thumanës, Fushë Krujës, Rinasit dhe Vores dhe do të lidhë 2 pika: segmentin me 4 korsi në Thumanë në veri (Fillimi i projektit) me autostradën Tiranë-Durrës në jug (Fundi i projektit). Një plan të ardhurash bazë për gjithë periudhën e koncesionit të rrugës Thumanë -Vorë-Kashar parashikon mbi 1.3 miliardë euro (pa TVSH) dhe 1.56 miliardë euro me TVSH, që do të shkojnë për përfituesit e kontratës tashmë të bërë publike.
Kontrata e lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive Gener 2 sh.p.k dhe G2 Infra sh.p.k parashikon një koncesion 35 vjeçar, ku dy vitet e para do të jetë ndërtim i këtij aksi dhe pjesa tjetër operim dhe mirëmbajtje. Një element tjetër i kontratës është ai lidhur me garantimin e të ardhurave bazë që do të vijnë nga operimi i rrugës. Shteti merr përsipër që në 8 vitet e para të nisjes së operimit nëse nuk arrihet plani bazë të ofrojë mbështetje.