Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri ka dhënë një intervistë për median greke “Kathimerini” nga qelia e burgut. Kjo intervistë e Belerit vjen një javë pas asaj të dhënë nga kryeministri Edi Rama për të njëjtat media.
Beleri ka bërë apel për lirimin e tij drejtuar institucioneve shqiptare të drejtësisë dhe nga ana tjetër kryeministrit Edi Rama.
Ai shton se nuk ka folur asnjëherë për “helenizimin” e Himarës, siç është akuzuar dhe deklaron se se fitorja e tij në këto zgjedhje tregoi se është votuar nga grekët dhe shqiptarët.
“Asnjëherë në fjalimet e mia publike nuk i jam referuar helenizimit apo çlirimit të Himarës. I jam referuar vetëm mbrojtjes së helenizmit të Himarës. Në mënyrë tendencioze, në një emision televiziv shqiptar “helenizmi” u bë “helenizim”.
Unë fola për ne, grekët e Himarës, sepse Shqipëria që nga koha e Hoxhës nuk e pranon që në zonën tonë jeton një minoritet etnik grek. Madje, nacionalistët e Shqipërisë i referohen Himariotëve si një “popullsi shqiptare e ndikuar nga Greqia” ose si “popullsi me ndërgjegje fluide” ose si “filogreke, por jo greke”.
Në familjen time ne flasim greqisht dhe po kështu ndodh me shumicën e popullsisë së Himarës. Gjuhën greke nuk e kemi mësuar në një shkollë greke. Ajo është mbyllur në vitin 1945 deri në vitin 2007, vit kur u ndërtua një shkollë private.
U gëzova kur lexova intervistën e kryeministrit shqiptar ku ai u referohej grekëve të Himarës në mënyrë të vetkuptueshme. Ne po përpiqemi të mbajmë gjallë helenizmin në Himarë. Si mund të greqizohen grekët,” thotë Beleri.