Për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës, popullata serbe që është shumicë në këto zona, ka kushte. Ata gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, thonë se duan që fillimisht të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, pastaj që policia të tërhiqet nga veriu, të lirohen të gjithë të burgosurit serbë, si dhe kryetarët shqiptarë të komunave të tërhiqen, në mënyrë që ata pastaj të marrin pjesë në zgjedhjet që do të organizoheshin nga Qeveria e Kosovës.
Svetomir Boshkoviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, thotë se mbajtja e zgjedhjeve në veri është e nevojshme, por pasi të plotësohen të gjitha kushtet të cilat serbët ka kohë që po i kërkojnë. Ai përmendi krijimin e Asociacionit, tërheqjen e të gjitha forcave policore nga veriu, si dhe lirimin e hapësirave komunale e arsimore, si kusht për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje.
Edhe Lubomir Miljkoviq, e ka kushtëzuar pjesëmarrjen në zgjedhje. Ai veç tjerash, ka përmendur lirimin e të gjithë të burgosurve serbë, si kusht për të dalë në zgjedhje. Mileva Bashcareviq, po ashtu qytetare nga veriu i Mitrovicës, tha se shqiptarët e serbët duhet të jetojnë së bashku dhe të kenë të drejta të barabarta (Lexo KETU lajmin e plote).