Evropa është ende “naive” në marrëdhëniet e saj me Kinën dhe duhet të mësojë nga dështimet e saj në politikat me Rusinë, nëse dëshiron të ketë lidhje të suksesshme me Pekinin në të ardhmen, ka paralajmëruar Reinhard Buetikofer, deputet i Parlamentit Evropian.
“Ekziston aq shumë naivitet sa i përket Kinës në kryeqytetet evropiane, saqë edhe nëse e zvogëlojmë atë për një kohë, nuk e prekim zeron”, ka thënë Buetikofer në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në Pragë, ku ka marrë pjesë në samitin Aleanca Ndërparlamentare për Kinën.
Ky samit mbledh politikanë që janë të fokusuar në fuqinë aziatike.
Buetikofer udhëheq delegacionin e Parlamentit Evropian për Kinën dhe është bërë një prej diplomatëve më të zëshëm të BE-së kur është fjala për çështjet rreth Pekinit, duke folur shpesh kundër politikave kineze ndaj Tajvanit, dhe për mbështetjen e Kinës ndaj Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë, ani pse autoritetet kineze pretendojnë se janë neutrale në këtë temë.
Politikani gjerman, Buetikofer e ka bashkë-udhëhequr Partinë e Gjelbër gjermane, para se të zhvendosej në Bruksel.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se BE-ja duhet të mësojë nga varësia që e ka pasur në energjinë ruse, për ta menaxhuar varësinë ndaj tregjeve kineze dhe ndikimin e saj në industritë strategjike.
“Mendoj se është e drejtë të them se përvoja me Rusinë na ka mësuar se çfarë duhet të jetë e aplikueshme në marrëdhëniet me Kinën”, ka thënë Buetikofer.
“Kina është duke e mbështetur Rusinë dhe nuk dëshiron që Rusia të humbë në asnjë mënyrë. Unë nuk e shoh aspak afër neutrales. Ajo është duke tentuar të përfitojë nga lufta në Ukrainë”./REL