Kryeministri Edi Rama ka firmosur sot lëvizjet në qeveri. Ka shkarkime, rokadë dhe shkrirje të ministrive, por edhe të reja që krijohen. Në ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë është larguar Delina Ibrahimaj dhe vendin e saj do ta zërë Ervin Mete, që deri tani është në krye të Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare.
Ibrahimaj shkon ministre shteti pa portofol për mbrojtjen e biznesit ku është shkarkuar Edona Bilali. Në postin e ministrit të Jashtëm do të jetë Igli Hasani, diplomat karriere që do të zëvendësojë Olta Xhaçkën. Largohet Frida Krifca nga Bujqësia teksa hetimet avancojnë në Bruksel dhe në vendin e saj emërohet Anila Denaj.
Ogerta Manastirliu nga Shëndetësia shkon te Ministria e Arsimit, ndërsa Kushi emërohet sekretare për gruan në PS. Në krye të shëndetësisë emërohet Albana Koçiu që deri tani ka qenë drejtoreshë e DAP-it. E ndërsa u shkri ministria për standardet, krijohet ajo për pushtetin vendor që do të drejtohet nga n/kryetari i bashkisë së Tiranës, Arbi Mazniku.
Lëvizjet në qeveri;
Ministër i Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete
Ministër për Europën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani
Ministre e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu
Ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Anila Denaj
Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu
Ministre Shteti për Sipërmarrjen Delina Ibrahimaj
Ministër për Pushtetin Vendor Arbjan Mazniku
Shkrihet ministria e shtetit për Standardet dhe Shërbimet