Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi të mërkurën siç tha aleatët e Rusisë se po synojnë të shtrembërojnë të vërtetën në Kosovë në një periudhë përpjekjesh për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Ai i bëri këto komente në takimin e nivelit të lartë të Partneritetit për Qeverisje të Hapur që po mbahet në Estoni, duke vënë theksin tek kërcënimet kibernetike dhe dezinformimi.
“Në Kosovë, përpjekjet nga aleatët e Rusisë për të shtrembëruar të vërtetën, të kaluarën dhe të tashmen, janë të dukshme dhe po shtohen.
Gjatë kohës së ndjeshme, kur shteti ynë është i përkushtuar në procesin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të normalizuar raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë, por edhe për përfshirjen e plotë të minoriteteve në proceset demokratike të shtetit, pa ndikim nga jashtë, këto kërcënime kibernetike, sikurse dezinformimi, bullizimi kibernetik dhe forma të tjera janë veçmas përcaktuese”, tha kryeministri Kurti.
Autoritetet në Kosovë vazhdimisht kanë akuzuar Serbinë se me mbështetje të Rusisë po synon të destabilizojë Kosovën duke mbështetur siç thonë, grupet kriminale në veri të vendit.
Që nga fundi i muajit maj të këtij viti tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetën të larta pasi kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë. Kjo çoi në dhunë nga e cila mbetën të plagosur 90 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s.
Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parashikon pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës.
Faktorët ndërkombëtar kanë bërë thirrje për të shmangur çfarëdo veprimesh që mund të përshkallëzojnë situatën në veri./VOA
Artikulli i plotë këtu.









