Dy zyrtarë të zonave të mbrojtura janë arrestuar, ndërsa 3 të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Në pranga kanë rënë Cane Aliaj me detyrë inspektor në ARZM, Vlorë, që mbulon zonën e Butrintit. Gjithashtu edhe Sokol Xhyheri, me detyrë specialist në ARZM Vlorë që mbulon Ksamilin.
Ata akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën, për hedhjen e inerteve në zonat e mbrojtura të liqenit të Butrintit, të Pemës së Thatë dhe të Lagunës.
Personat e proceduar janë: Nexhip Hysolakoj, me detyrë drejtor i ARZM Vlorë, Nertil Cumani, me detyrë inspektor i Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit dhe Besian Koçi, me detyrë Inspektor i IVMT-së, bashkia Sarandë.
NJOFTIMI
Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 2 shtetas, për shpërdorim të detyrës. Procedohen penalisht 3 zyrtarë të tjerë, për të njëjtën vepër penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me ata të Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, bënë ndalimin e shtetasve:
-Ç. A., 62 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë inspektor në ARZM, Vlorë, që mbulon zonën e Butrintit;
-S. Xh., 37 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë specialist në ARZM Vlorë që mbulon Ksamilin.
Për këta shtetas, Gjykata e Sarandës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi në kohë të ndryshme, janë konstatuar raste të hedhjes së inerteve dhe të ndërtime të mureve rrethuese, në zonat e mbrojtura të liqenit të Butrintit, të Pemës së Thatë dhe të Lagunës.
Gjithashtu, filloi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit:
-N. H., 51 vjeç, banues në Vlorë, me detyrë drejtor i ARZM Vlorë (Agjencia Rajonale e Zonave të Mbrojtura);
-N. C., 38 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë inspektor i Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit;
-B. K., 37 vjeç, banues në Sarandë, me detyrë Inspektor i IVMT-së, bashkia Sarandë.
Këta shtetas nëpërmjet mosveprimit, kanë shpërdoruar detyrën, duke dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit. Sepse në zonat e Pemës së Thatë, Lagunës dhe në liqenin e Butrintit, kanë lejuar ushtrimin e aktiviteteve më kundërshtim me ligjin. Dhe për pasojë kanë konsumuar elementet e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.