Kompania amerikane ‘Microsoft’ tha të enjten se ka identifikuar një rrjet profilesh të rreme në rrjete sociale të kontrolluara nga Kina, në përpjekje për të ndikuar tek votuesit amerikanë duke përdorur inteligjencën artificiale.
Një zëdhënës i ambasadës kineze në Uashington tha se akuzat se Kina, duke përdorur IA, ka krijuar llogari të rreme në rrjete sociale janë ‘të mbushura me paragjykime dhe spekulime dashakeqe’ dhe se Kina punon që Inteligjenca Artificiale të përdoret në mënyrë të sigurt.
Në një raport të ri studimor, ‘Microsoft’ tha se llogaritë e rrjeteve sociale ishin pjesë e një operacioni për mbledhje informacioni që dyshohet se kryhet nga Kina. Fushata ka ngjashmëri me aktivitetin që Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka atribuar ‘një grupi elitar brenda Ministrisë së Sigurisë Publike të Kinës’, tha ‘Microsoft’.
Ekspertët e kompanisë amerikane nuk thanë se cilat platforma të rrjeteve sociale u përdorën, por fotografitë që shoqëronin raportin dukej të tregonin publikime nga ‘Facebook’ dhe ‘Twitter’ që tani njihet si X.
Raporti e vë theksin tek një mjedis mediash sociale që paraqet rrezikshmëri për t’u keqpërdorur, ndërsa amerikanët përgatiten për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Qeveria amerikane ka akuzuar Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2016 me një fushatë të fshehtë në rrjete sociale dhe ka paralajmëruar për përpjekjet e mëvonshme të Kinës, Rusisë dhe Iranit për të ndikuar tek votuesit.
Raporti jep shembuj të kufizuar të aktivitetit më të fundit dhe nuk shpjegon në detaje se si ekspertët e ‘Microsoft-it’ ia atribuan publikimet Kinës./VOA
Artikulli i plotë këtu.