Eksperti i çështjeve politike dhe filozofi amerikan, Francis Fukuyama, ka thënë se një Rusi më e dobësuar, për shkak të humbjeve në luftën në Ukrainë, mund t’i shmangë kërcënimet territoriale që i kanosen Kazakistanit dhe t’iu ofrojë më shumë mundësi vendeve të Azisë Qendrore që të mund t’i caktojnë vetë politikat e tyre.
Fukuyama, drejtor i Qendrës për Avancim të Demokracisë dhe Sundim të Ligjit në Universitetin Stanford, ka folur për Shërbimin kazak të Radios Evropa e Lirë, lidhur me situatën në Ukrainë, dhe se si janë duke ndikuar humbjet e Rusisë në qeverisjen e Moskës, por dhe për skenarët që mund t’i japin fund luftës në Ukrainë.
Ai ka qenë në Allmati për publikimin e librit të tij më të ri, Liberalizmi dhe Pakënaqësitë e tij.
Sipas tij, lufta e Rusisë në Ukrainë përbën gabim strategjik, por mund të ketë ndikim tjetër në shtetet e Azisë Qendrore.
“Mendoj se Putini ka menduar se mund ta nisë të ashtuquajturin operacion special ushtarak dhe që regjimi në Kiev do të mund të rrëzohej brenda dy apo tri ditëve, dhe që do të mund ta instalonte dikë që e pëlqen Moska. Mirëpo, pas më shumë se një viti e gjysmë, ushtria ruse është përballur me humbje shumë të mëdha. Ky vendim ka qenë shumë më i madh sesa që e ka menduar Putini në fillim”.
Sipas tij, detyra thelbësore e ushtrisë ukrainase është që ta shkatërrojë korridorin tokësor që e ka krijuar Moska në mes të qytetit rus Rostov dhe Gadishullit ukrainas të Krimesë, të cilin Rusia e ka aneksuar në mënyrë të paligjshme më 2014.
Ai ka thënë se është e rëndësishme që forcat ukrainase ta thyejnë linjën hekurudhore dhe të mund ta bombardojnë urën rreth Ngushticës së Kërçit, përmes së cilës mundësohen furnizimet e ushtrisë ruse./REL
Artikulli i plotë këtu.