Grafiti “Kur ushtria serbe do kthehet në Kosovë” është shfaqur sërish dhe kësaj here është shkruar në oborrin e Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut.
Grafiti është ngjyrosur me ngjyrat e flamurit të Serbisë në tokë.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Veton Elshani konfirmoi se për përmbajtjen e këtij grafiti, autoritetet e rendit janë informuar përmes rrjeteve sociale.
Ai tha se policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po konsultohet me prokurorin për këtë rast.
Që nga fundi i korrikut, grafite me mbishkrim të tillë janë shfaqur në Beograd dhe qytete të tjera në Serbi. Një grafit i tillë është parë në gushtë edhe në Banja Llukë të Bosnje e Hercegovinës.
Grafiti është krijuar nga tifozët e klubit të futbollit Crvena Zvezda, pas një ndeshjeje miqësore me klubin italian Fiorentina më 26 korrik në Beograd.