Mijëra persona besohet se kanë vdekur si pasojë e një stuhie të fuqishme që ka shkaktuar përmbytje shkatërruese në Libi.
Lideri i Qeverisë në lindje të Libisë, e cila nuk njihet ndërkombëtarisht, ka thënë se numri i vdekjeve mund të shkojë në 2.000, ndërsa mijëra njerëz tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Stuhia Daniel ka zbarkuar në Libi të dielën, duke i detyruar autoritetet që të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.
Shtatë pjesëtarë të ushtrisë së Libisë janë zhdukur në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Zyrtarët në lindje kanë nisur të zbatojnë orë policore, ndërsa shkollat dhe dyqanet janë mbyllur.
Teksa numri i viktimave rritet, Kryqi i Kuq i Libisë ka thënë se të paktën 150 shtëpi janë shkatërruar.
Ndonëse administrata me bazë në Bengazi është marrë me situatën në lindje të shtetit, rivalja e saj, Qeveria e njohur nga komuniteti ndërkombëtar në Tripoli, është përfshirë, po ashtu.