Treguesit e punësimit përgjithësisht u përmirësuan në tremujorin e dytë të vitit, si në drejtim të rritjes së punësimit, edhe të uljes së papunësisë, por për moshat e reja, zhvillimet ishin negative.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e dytë të vitit, numri i të rinjve të punësuar në moshën 15-29 vjeç ishte rreth 12,400 më i ulët se periudha përkatëse e një viti më parë, me rënie 4.6%.
Rritje shënoi edhe treguesi i papunësisë, kur për prill-qershor 2023 ishin 5,733 të rinj të papunë më shumë se në tremujorin e dytë 2022, me një rritje vjetore 8%.
Shifrat zyrtare mbi punësimin e të rinjve, veç dobësive në tregun e punës, tregojnë për tranzicionin demografik që po kalojnë, me ritmet e larta të emigracionit dhe rënien e lindjeve.
Statistikat zyrtare tregojnë se në tremujorin e dytë 2023,numri i të punësuarve 15 vjeç e lart ishte 53,454 persona më shumë se para pandemisë (tremujori II- 2019), por për të njëjtën periudhë rezultojnë të punësuar 26,509 të rinj më pak.
Dekadën e fundit, vendi është përfshirë nga një valë emigracioni, sidomos e moshave të reja. Të dhënat e Eurostat dhe nga Britania e Madhe tregojnë se mbi 16,500 shqiptarë kanë kërkuar azil në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, ku rreth 80% e tyre janë mosha të reja./monitor