Vetëm dje, Gjykata Speciale ka kryer një bastisje dhe një arrestim. Në banesën e familjes së heronjve Fahri e Bahri Fazliu, hetuesit e Speciales sekuestruan një telefon, një laptop, disa fotografi familjare e shoqërore, si dhe disa dokumente.
Telefoni iu sekuestrua edhe ish-eprorit të UÇK-së, Rrustem Mustafa. Këto dy zhvillime po shihen si intensifikim i Prokurorisë në Hagë për hetime. Ndërkohë, Specialja nuk i komenton zhvillimet.
Dje me urdhër të Prokurorit të Specializuar në Hagë, u bastis banesa e familjes së heronjve Bahri e Fahri Fazliu, si dhe u arrestua e më pas u lirua ish-komandanti i UÇK-së, për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi.
Të dy këto ngjarje u panë si sinjal për intensifikimin e punës së Gjykatës Speciale. Nga kjo e fundit nuk i kanë komentuar zhvillimet.
“SPO nuk komenton për hetimin e saj apo për çështje operative,” ka thënë zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Christopher Bennet.
E për avokatin e akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini zhvillimet e djeshme dëshmojnë një shtim të punës nga Specialja në aspektin e hetimit.
“Apo vërehet se është një aktivitet i shtuar i Prokurorisë në zhvillimin e hetimeve, po po vërehet. Ne si avokatë i përcjellim me vëmendje këto zhvillime dhe sa herë që vërejmë shkelje në ndërmarrjen e veprimeve procedurale ne reagojmë përmes mjeteve juridike duke i kontestuar ato veprime gjithnjë duke u munduar që sa më mirë të i përfaqësojmë interesat e klientëve të cilat ne i mbrojmë në procedurat që janë në rrjedhojë e sipër pranë Dhomave të Specializuara,” ka thënë ai.
Për sa i përket konfiskimit të telefonave të ish-komandant Remit dhe Fadil Fazliut, ai tha se nuk kanë informacione se mbi çfarë baze janë konfiskuar ata./Gazeta Express
Artikulli i plotë këtu.