Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, tha më 13 shtator se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor dhe e Ukrainës është në Bashkimin Evropian (BE).
Von der Leyen tha se “Evropa përgjigjet ndaj thirrjeve historike. Historia na fton që të përmbyllim ndërtimin e unionit tonë. Në botën ku disa tentojnë t’i nënshtrojnë vendet një nga një, ne nuk mund t’i lëmë vetëm bashkëkombësit tanë evropianë. Në botën ku madhësia dhe pesha janë të rëndësishme, përmbyllja e unionit tonë, pa dyshim, është interes strategjikë i BE-së”.
Ajo e përmendi rajonin e Ballkanit edhe kur foli për bashkëpunimin në menaxhimin e migrimit ilegal. “Pakti për migrim i BE-së ka siguruar një baraspeshë mes të drejtave të njeriut dhe ruajtjes së kufijve, mes sovranitetit dhe solidaritetit, mes sigurisë dhe njerëzisë. Kemi bashkëpunuar ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimorë dhe kemi zvogëluar valët ilegale të migrimit”, theksoi ajo.
Von der Leyen bëri thirrje për një vizion për zgjerimin e suksesshëm të BE-së. “… Një union i plotësuar, ku më shumë se 500 milionë njerëz jetojnë në liri, demokraci dhe prosperitet.
Një union i plotësuar ku të rinjtë mund të jetojnë dhe studiojnë në liri. Union në të cilin ka demokraci, ku gjykatat janë të pavarura, ku opozita respektohet dhe gazetarët mbrohen. Këto do të jenë themelet e unionit tonë në vendet e tashme dhe të ardhme anëtare“, tha ajo.
Ajo rikujtoi se para 20 vjetëve, kur kishte ndodhur zgjerimi i madh, e kishin quajtur këtë si “dita e mirëseardhjes“ dhe prej atëherë ato vende kanë shënuar “përparim të madh në secilin aspekt.”