Jasir Asani është padyshim lojtari i momentit te kombëtarja shqiptare. Super goli i realizuar kundër Polonisë i la të gjithë pa fjalë, pasi ishte një çmenduri. I ati i Asanit rrëfeu emocionet që përjetoi pas golit nga distanca.
“Në moshën 7-vjeçare u regjistrua te Vardari. Që atëherë e shihja dhe e dija që djali kishte shumë talent, isha i vendosur që do të bëja gjithçka që t’ia plotësoja të gjitha kushtet për t’u bërë futbollist. Kushtet nuk ishin nga më të mirat, me një rrogë të vogël ia kemi dalë dhe kemi përmbushur ëndrrën e djalit, babai bën gjithçka për fëmijën.
Më “çmendi” shumë goli kundër Polonisë që bëri këtë herë Jasiri. Emocionet më janë shtuar shumë në momentin që i gjithë stadiumi nisi që të thërras emrin e tij. Kam qarë gjithë natën dhe ditën për atë fitore. Kam pasur shumë emocione në atë ndeshje, qava si një fëmijë i vogël pasi mundëm Poloninë dhe i kemi bërë krenar të gjithë tifozët”, tha Fadil Asani per Sport Ekspres.