Grupi i Sali Berishës denoncoi pagesat që sipas selisë blu po bëhen nga Bashkia e Tiranës për projektin e inceneratorit. Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti tha se Erion Veliaj po planifikon t’i paguajë 5.7 milionë euro të tjera projektit fantazmë të inceneratorit që nuk djeg.
“Pasnesër në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës, një ndër pikat e rendit të ditës janë pikërisht ndryshimet që Erjon Veliaj ka ndërmend të bëjë në buxhetin e bashkisë, ku spikat me një vlerë tejet të lartë edhe zëri i inceneratorit, me plotë 5.7 milionë euro.
Ndaj i bëjmë thirrje ndërgjegjes qytetare të këshilltareve socialistë. Mos u bëni miratues me kartonin tuaj të vjedhjes së parave të taksapaguesve të Tiranës.
Mos u bëni noterë të abuzimit me fondet që në vend që të digjen e vidhen me inceneratorë që nuk ekzistojnë, hajde t’i çojmë për ndërtimin e çerdheve e kopshteve, aq të nevojshme për qytetarët e Tiranës që ne përfaqësojmë.
I bëj edhe njëherë thirrje Ministrisë së Financave, që t’i kthehet ligjshmërisë në pagesat e thesarit dhe të mos tolerojë apo të bëhet palë e asnjë shkeljeje ligjore dhe pagesash abuzime” tha ai.