Gjatë një fjalimi në Shkollën e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare të Universitetit Johns Hopkins, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken foli për një moment kyç në histori, një moment përballjeje me një pikëpyetje thelbësore strategjike se si do të arrijmë aty ku dëshirojmë pa u goditur nga katastrofat gjatë rrugës.
Ai u shpreh se skena ndërkombëtare është tashmë thellësisht e ndryshme nga ajo e 30 viteve më parë kur ai pati filluar të shërbejë në qeverinë amerikane.
“Dekadat e stabilitetit relativ gjeopolitik janë zëvendësuar nga konkurenca e rritur me fuqitë autoritare, me fuqitë revizioniste. Lufta e agresionit të Rusisë në Ukrainë është rreziku më akut, më i menjëhershëm ndaj rendit ndërkombëtar të mishëruar në Kartën e OKB-së dhe në parimet e saj themelore të sovranitetit, integritetit territorial dhe pavarësisë së vendeve, si dhe për të drejtat e pamohueshme njerëzore të individëve,” tha Sekretari Blinken.
Ai gjithashtu e përshkroi Kinën si sfidën më afatgjatë për shkak se ajo synon jo vetëm të ndryshojë formën e rendit ndërkombëtar, por pasi ka gjithnjë e më shumë fuqinë ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe teknologjike për ta realizuar këtë.
Sekretari Blinken vuri në dukje se Pekini dhe Moska po punojnë së bashku për ta bërë botën më të sigurtë për autokracinë nëpërmjet “partneritetit të tyre pa kufij”.
Ai tha se ndërsa vendet dhe qytetarët po humbasin besimin e tyre tek rendi ekonomik ndërkombëtar, ndërkohë edhe demokracitë janë gjithnjë e më të rrezikuara.
Ato sfidohen nga brenda nga udhëheqës të zgjedhur që shfrytëzojnë pakënaqësitë dhe rrisin frikën, që gërryejnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të mediave, që godasin shoqërinë civile dhe opozitën politike.
Ashtu siç sfidohen edhe nga jashtë, nga autokratë që përhapin dezinformim, që përdorin korrupsionin si armë, dhe që ndërhyjnë në zgjedhje./VOA
Artikulli i plotë këtu.