Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë para gazetarëve pas takimit me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç dhe ndërmjetësuesit e BE se sot e ka marrë vesh për ekzistencën e një dokumenti të Serbisë që kërkon fillimisht zbatimin e Asociacionit e më pas potencialisht të vazhdohet me implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Kurti thotë se ky kushtëzim i Serbisë është bërë qëndrim i të dërguarit sllovak të BE për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
“Unë sot e mora vesh që ka 6 muaj që nuk ecën puna me zbatimin e fragmentarizuar të marrëveshjes, sepse është vënë kushtëzimi i Serbisë.
Këtë dokument nuk e kam pasur më herët. Kushtëzimi i Serbisë është shndërruar në qëndrim të emisarit Lajçak. Për të ecur para duhet të tejkalohet kjo,” ka thënë Kurti para gazetarëve.
Kurti thotë se një kushtëzim i tillë është kundër Marrëveshjes së Ohrit.
“Ta anashkalosh esencën e marrëveshjes së Ohrit, e ta vendosësh Asociacionin si parakusht thuajse ndodhemi në prill të 2013, është në kundërshtim me vetë marrëveshjen bazike,” ka thënë Kurti.